Në një takim me drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, rektori Arben Hajrullahu rikonfirmoi se të gjitha dokumentet e kësaj agjencie për Universitetin e Prishtinës do të trajtohen me prioritet dhe nuk do të ngelin në sirtarë të patrajtuara. Ai falënderoi institucionin e drejtuar nga Buleshkaj për korrigjimet që i bën punës dhe funksionimit të Universitetit të Prishtinës sipas ligjeve në fuqi.
Rektori Hajrullahu dhe drejtori Buleshkaj u pajtuan që nga viti i ardhshëm Universiteti i Prishtinës dhe Agjencia për Parandalimin e Korrrupsionit të organizojnë aktivitete të përbashkëta. Aktivitetet mund të jenë ligjërata edukative e informuese me studentë e personel administrativ e akademik të UP-së, me qëllim që të ngrihet vetëdija nga ekspertë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me parandalimin e konfliktit të interesit, sinjalizimin dhe çështje tjera me interes.
Në takim, kreu i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit Ylli Buleshkaj, erdhi i shoqëruar nga Blerim Kelmendi, drejtori i Departamentit për Vlerësim, Monitorim dhe Analiza, ndërsa rektori Hajrullahu, mysafirët i priti bashkë me prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha dhe këshilltaren ligjore Rina Mehana.
Universiteti i Prishtinës aktivitete të përbashkëta ka filluar sivjet të zhvillojë edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit.