Një ligjëratë kundër dhunës digjitale e online ndaj grave e vajzave, e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Zyra në Kosovë e organizatës „UN Women” u zhvillua në hapësirat e Administratës Qendrore.
Ligjërata ishte pjesë e shumë aktiviteteve në „16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ndërsa para të pranishmëve: studentë, profesorë e përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, folën Vjollca Krasniqi, Teuta Sahatqia, Flutura Kusari e Orkidea Xhaferi.
Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, aktiviste dhe hulumtuese në fushat e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, drejtësisë pas luftës dhe politikave sociale, tha se viktimat e dhunës digjitale kanë frikë, ankth e stres post-traumatik që ua humbasin mundësitë për shkollim e punësim. Ajo daljen nga ky cikël e pa vetëm te edukimi, që mund ta parandalojë dhunën në bazë gjinore.
Teuta Sahatqia, politikane dhe diplomate me përvojë 30 vjeçare, folëse e pesë gjuhëve tjera, përveç shqipes dhe shumë e angazhuar edhe për barazi gjinore, deklaroi se gratë në politikë e media e dinë sa e fuqishme është dhuna online, ndërsa Flutura Kusari, avokate e të drejtave të medias dhe një mbështetëse e madhe e luftës kundër dhunës online ndaj grave, veçanërisht atyre në sferën publike, tregoi se qëllimi i dhunës është heshtja.
Por teksa u zotua se nuk do të heshtë, ajo inkurajoi gratë e vajzat që ta raportojnë dhunën.
Orkidea Xhaferi nga Tirana, që 15 vjet angazhohet për ndërgjegjësimin mbi demokracinë digjitale e sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja, bëri thirrje për edukim kundër dhunës. „Edukohuni dhe edukoni, mbrohuni dhe sinjalizoni”, porositi Xhaferi.
Pas fjalimeve, të pranishmit diskutuan me aktivistet kundër dhunës ndaj grave e vajzave, në një format me pyetje dhe përgjigje, ndërsa krejt në fund u nxorën përfundimet dhe hapat që duhet ndërmarrë drejt një shoqërie me barazi të plotë gjinore.
Sipas një hulumtimi të „UN Women” me titullin „Ana e errët e digjitalizimit”, 43.3% e grave në Kosovë kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës të mundësuar nga teknologjia.
Në „16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, të premten e 29 nëntorit, ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u ndriçua me ngjyrë të portokalltë, për të përkrahur luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
„16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, të organizuara nga Ministria e Drejtësisë, nisën më 25 nëntor.