Të nderuar studentë,
Ju ftojmë të merrni pjesë në ligjëratën e organizuar nga „UN Women” Kosova dhe Universiteti i Prishtinës që trajton hendekun mes dhunës digjitale ndaj grave e vajzave dhe mekanizmave reagues kundër kësaj dukurie.
Ligjërata do të zhvillohet të mërkurën, më 4 dhjetor 2024 prej orës 10:00 deri në orën 12:00 në Bibliotekën Qendrore të Universitetit, në kuadër të „16 ditëve kundër dhunës me bazë gjinore”.
Sipas një hulumtimi të „UN Women” me titullin „Ana e Errët e Digjitalizimit”, 43.3% e grave në Kosovë kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës të mundësuar nga teknologjia.
Në këtë ngjarje, për mënyrat e parandalimit të dhunës digjitale ndaj grave e vajzave, do të flasin Vjollca Krasniqi, Teuta Sahatqia, Flutura Kusari e Orkidea Xhaferi.
Vjollca Krasniqi është profesoreshë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, aktiviste dhe hulumtuese në fushat e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, drejtësisë pas luftës dhe politikave sociale. Teuta Sahatqia, një politikane dhe diplomate me përvojë 30 vjeçare, folëse e pesë gjuhëve tjera, përveç shqipes, është shumë e angazhuar edhe për barazi gjinore.
Edhe Flutura Kusari, një avokate e të drejtave të medias është një mbështetëse e madhe e luftës kundër dhunës online ndaj grave, veçanërisht atyre në sferën publike. Orkidea Xhaferi nga Tirana, që 15 vjet angazhohet për ndërgjegjësimin mbi demokracinë digjitale e sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja.
Pas fjalimeve, të pranishmit mund të diskutojnë me aktivistet kundër dhunës ndaj grave e vajzave, në një format me pyetje dhe përgjigje, ndërsa krejt në fund do të nxirren përfundimet dhe hapat që duhet ndërmarrë drejt një shoqërie me barazi të plotë gjinore.
Ju mirëpresim! Ardhja juaj sa më masovike është shenjë se dhuna nuk do të tolerohet!