Kundër dhunës me bazë gjinore: Ndërtesa e Rektoratit bëhet e portokalltë

29 Nëntor 2024
SHARE

Në „16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është ndriçuar me ngjyrë të portokalltë.

Ndriçimi është bërë nga Rektorati dhe Zyra në Kosovë e „UN Women”, që promovon barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin rektori Arben Hajrullahu, prorektorët Albana Berisha–Qehaja, Rozafa Basha e Avni Hajdari, sekretari i përgjithshëm Besnik Loxha, këshilltarët e rektorit dhe personeli akademik dhe administrativ i Universitetit të Prishtinës. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e „UN Women”, organizatës që vepron globalisht në kuadër të mekanizmave të OKB-së.

Barazia gjinore në Universitetin e Prishtinës garantohet në nenin 7 të statutit. Në pikën 1, të këtij neni, thuhet se „Universiteti siguron dhe mbështet barazinë gjinore”.

Në kuadër të „16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, në Universitetin e Prishtinës është planifikuar edhe një ligjëratë për studentë më 4 dhjetor, në bashkëpunim me „UN Women”.

Kjo fushatë vetëdijesuese, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, nisi më 25 nëntor.