Kujtohet Kanti në kohën moderne që po i lë pak vend filozofisë

23 Nëntor 2024
SHARE

Në Ditën Botërore të Filozofisë me anë të një konference ndërkombëtare, Fakulteti Filozofik dhe Shoqata e Filozofëve të Kosovës kujtuan jetën dhe veprën e filozofit gjerman Immanuel Kant në 300 vjetorin e lindjes.

Konferenca e XV Ndërkombëtare „Kanti në 300: Rishqyrtimi i Themeleve të Filozofisë Moderne dhe Iluminizmit” bëri bashkë filozofë kosovarë e të huaj, ambasadorë dhe njerëz të botës akademike.

Në fjalimin e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, që një pjesë të madhe të formimit të tij akademik e ka bërë në institucione gjermano-fone të arsimit të lartë, e cilësoi Immanuel Kantin një filozof të madh të lirisë.

Kanti, sipas rektorit Hajrullahu, konsideronte se „liria është një e drejtë që i përket çdo qenieje njerëzore”.

Kanti lindi dhe vdiq në Königsberg të Prusisë, një qytet që sot mban emrin Kaliningrad dhe i takon Rusisë. Aty, në atë qytet, tha më tutje rektori Hajrullahu, „shënjohet vija gjeopolitike ku ballafaqohen botëkuptimet mbi ,lirinë’ dhe ,barbarinë’”.

Në fund rektori Hajrullahu shfaqi shpresën që pedagogjia dhe filozofia e Immanuel Kantit do të na shërbejë për të përmbysur pasionet luftënxitëse në Ballknain Perëndimor dhe kudo tjetër në botë.

Në konferencë folën edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, dekani i Fakultetit Filozofik Bekim Baliqi, profesoresha e këtij fakulteti Hasnije Ilazi dhe kryetari i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës Ridvan Emini.

Konferenca nëpërmjet disa paneleve të diskutimit synoi të hedhë dritë në aspekte të ndryshme të personalitetit dhe filozofisë së Immanuel Kantit.