Ministri Çeku: Kuadrot më të mira janë në Universitetin e Prishtinës 

20 Nëntor 2024
SHARE

Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu dhe prorektores Rozafa Basha me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku, u fol për ndihmën reciproke mes dy institucioneve. 

Marrëveshje të reja bashkëpunimi mund të nënshkruhen në të ardhmen e afërt mes Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Ministri Hajrullah Çeku në një takim me rektorin Arben Hajrullahu dhe prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, tha se kuadrot më të mira të vendit janë në Universitetin e Prishtinës. 

Ai kërkoi vazhdimin e mbikëqyrjes nga ekspertët e Universitetit të Prishtinës për projektin e restaurimit të Teatrit Kombëtar, ndërsa në takim u diskutua edhe për Memorialin për Fëmijët e Vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

Rektori Hajrullahu e prorektorja Basha, u pajtuan me ministrin Çeku se duhet gjetur forma të përkrahjes së përhershme nga Ministria e Kulturës për Universitetin Veror të Prishtinës dhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, dy ngjarjet që promovojnë fuqishëm Universitetin e Prishtinës, gjuhën dhe kulturën në Republikën e Kosovës .