Prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik dhe privat, prof. Albana Berisha Qehaja, mori pjesë si paneliste në diskutimin “Ndërmarrësia për të gjithë” në kuadër të Javës së Ndërmarrësisë, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Ngjarja, e mbajtur sot në objektet e STIKK-ut, Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë, mblodhi së bashku udhëheqës dhe ekspertë për të diskutuar rëndësinë e ndërmarrësisë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social.
Prof. Berisha - Qehaja ndau njohuri të vlefshme mbi rëndësinë e bashkëpunimit midis akademisë dhe industrisë dhe se si Universiteti i Prishtinës po përgatit studentët për të përmbushur kërkesat e tregut të punës.
Prof. Berisha Qehaja nënvizoi rëndësinë e Trupave Këshillëdhënëse të Universitetit të Prishtinës, të cilët inicojnë dialogun dhe bashkëpunimin midis sektorit privat dhe akademisë në përditësimin e programeve të studimeve, zhvillimin e projekteve kërkimore dhe ofrimin e praktikave profesionale.
Ajo gjithashtu përmendi Institutin UPCO Cluster, një nismë e përbashkët e UP-së me Komunën e Prishtinës dhe Odën Ekonomike të Kosovës, që promovon inovacionin dhe ndërmarrësinë.
Prorektorja vuri në dukje se përmes bashkëpunimeve të shumta me sektorin publik dhe privat, universiteti ka krijuar një mjedis që mbështet inovacionin, kreativitetin dhe shpirtin ndërmarrës te studentët.
Lidhjen e tregut të punës me shkollimin universitar dhe energjinë studentore, e kishte përmendur edhe rektori Arben Hajrullahu në një diskutim tjetër të organizuar po nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në fund të tetorit.