Analiza e legjislacionit financiar që ndihmon studentët, profesorët dhe Kosovën

15 Nëntor 2024
SHARE

Në ambientet e Fakultetit Juridik u paraqitën rezultatet e projektit hulumtues „Analizë kosto-benefit e legjislacionit financiar në Kosovë”, i financuar nga Universiteti i Prishtinës.

Projekti u hartua nga Katedra e së Drejtës Financiare, ndërsa e kishte koordinatore profesoreshën Fitore Morina. Nga Universiteti i Prishtinës, përveç Morinës, në projekt punoi edhe profesori Artor Nuhiu.

Prej institucioneve tjera të arsimit të lartë u angazhuan profesorët e bashkëpunëtorët Simeana Beshi, Fitim Gashi dhe Egzona Kozhani.

Në ngjarjen hapëse të rezultateve të projektit, morën pjesë prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, Albana Berisha - Qehaja, bashkë me prorektorin për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari.

Të pranishëm ishin edhe dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka me ekipin e tij dhe studentë e profesorë të përfshirë në projekt.

Prorektorja Albana Berisha - Qehaja në fjalën e saj gjatë lansimit të gjetjeve te projektit, tha se ai „pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm jo vetëm në komunitetin akademik të Universitetit të Prishtinës, por edhe në shoqërinë e gjerë”.

Më tutje, duke iu drejtuar studentëve që ishin pjesë e projektit, prorektorja Berisha - Qehaja deklaroi se „ata kanë fituar aftësi të rëndësishme praktike të hulumtimit, të cilat do të kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e tyre profesional dhe do t’i përgatisin më mirë për tregun e punës”.

Sipas prorektores për buxhet e financa, rezultatet e hulumtimit mund t’u ndihmojnë edhe „politikëbërësve për të hartuar rregullativa financiare më efektive dhe përfshirëse, që promovojnë rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale”.

Prorektori Avni Hajdari në fjalën e tij, i lavdëroi të angazhuarit në projekt për kryerjen me kohë dhe si duhet të të gjitha procedurave të parapara, për të shtuar se kjo duhet t’i inkurajojë edhe hulumtuesit tjerë shkencorë që punët t’i kryejnë brenda afateve.