Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, u diskutua se si këto dy institucione mund t’i ndihmojnë njëra-tjetrës.
Me kryetarin Rama në Rektorat erdhi edhe Vllaznim Osmani, shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, ndërsa bashkë me rektorin, zyrtarët e komunës i pritën edhe prorektorët Albana Berisha - Qehaja dhe Avni Hajdari.
Rektori Hajrullahu në takim, tha se duhet, mundemi dhe kemi vullnetin për të bërë gjëra të mira, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës një shtëpi më të vogël, brenda shtëpisë më të madhe: komunës — kryeqytet, me numrin më të madh të banorëve në vend.
Kryetari Rama, duke ia uruar detyrën e rektorit, shprehu dëshirën që profesor Arben Hajrullahut, puna t’i shkojë edhe më mirë se që e ka menduar.
Kryetari dhe rektori u pajtuan që hapësirat e Universitetit të Prishtinës duhet të duken më mirë estetikisht, pa kaos të makinave dhe mbeturina të mundshme.
Rama siguroi rektorin dhe ekipin e tij se projekti i sheshit „Xhorxh Bush” që do të shtrihet deri te Biblioteka Kombëtare nuk do të ndikojë në objekte, por vetëm do të rinovojë hapësirat publike përreth tyre.
Rektori Arben Hajrullahu i ofroi kryetarit Rama ekspertizë nga Universiteti i Prishtinës për fusha të ndryshme, ndërsa Kryetari i Prishtinës tha se një ekspertizë e tillë do të duhet pasi planifikohet të krijohet një laborator për analizimin e informatave të shumta digjitale.
Në fund rektori e kryetari shkëmbyen dhurata — një „Hyjneshë në Fron”, simbolin e Prishtinës e la Rama në Rektorat, ndërsa mori me vete plaketën e Universitetit të Prishtinës.