Universiteti i Prishtinës për herë të parë në histori të tij, që nga themelimi në vitin 1970, ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me një universitet në tokën kanadeze.
Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik e Universitetit të Prishtinës Rozafa Basha, më 6 nëntor nënshkroi memorandum bashkëpunimi me zëvëndëspresidenten e asocuar të Universitetit Carleton, Betina Appel Kuzmarov.
Universiteti Carleton ndodhet në Ottawa të Kanadasë dhe është themeluar në vitin 1942, ndërsa ofron mundësi studimi në shkenca sociale, arte, gjuhësi, shkenca, natyrore, inxhinieri, drejtësi e shumë fusha tjera.
Marrëveshja e bashkëpunimit u arrit pas komunikimit prej disa muajsh të UP-së me Universitetin e Carletonit përmes drejtores së ZMJ-së Lumnije Bajrami dhe ndihmës me kontakte nga ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada.
Para se të finalizohej bashkëpunimi mes dy universiteteve, prorektorja Basha e shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada Adriatik Kryeziu, e njoftoi nikoqiren e saj Betina Appel Kuzmarov me mundësitë e gjera të bashkëpunimit në projekte hulumtuese, organizim të aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkëmbime të mësimdhënësve dhe të studentëve.
Profesoresha Basha gjatë takimit me Betina Appel Kuzmarov ftoi profesorët dhe studentët nga Universiteti Carleton të aplikojnë në edicionin e radhës së Universitetit Veror të Prishtinës.
Universiteti Veror i Prishtinës sivjet u zhvillua për herë të njëzet e katërt, ndërsa në vitin 2025 do ta ketë edicionin jubilar të 25-të.
Prorektorja Rozafa Basha qëndroi në Kanada si delegate e Byrosë Kanadeze të Edukimit Ndërkombëtar (CBIE) dhe mori pjesë në konferencën vjetore të kësaj organizate dhe në Forumin Kanada-Evropë.
Ky bashkëpunim i rëndësishëm shënon një epokë të re të bashkëpunimeve ndërkombëtare për Universitetin e Prishtinës, pasi lidh Kosovën dhe Kanadanë nëpërmjet arsimit dhe shkëmbimit akademik.