Njoftim për takimin e Rektorit me përfaqësuesit e studentëve

29 Tetor 2024
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, së bashku me prorektorët, priti përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, kryesuar nga Blerta Zeqiraj. 

Gjatë takimit, u diskutuan aspektet e mbarëvajtjes së procesit mësimor me theks te çështjet kyçe për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe studimeve në Universitet.

Rektori theksoi synimin e Universitetit për avancimin e standardeve të cilësisë së studimeve dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës për një ambient gjithëpërfshirës për studentët dhe personelin akademik.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor prezantuan planet e tyre, përfshirë organizimin e një konference ndërkombëtare dhe nxjerrjen e gazetës së studentëve, duke kërkuar mbështetje për rritjen e fondeve për aktivitete studentore.

Rektori premtoi përkrahje për këto iniciativa, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes dhe rolit më kërkues të studentëve në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimit të procesit mësimor.

Diskutimi u përqendrua në përmirësimin e metodave të vlerësimit, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve nga mësimdhënësit, siç përcaktohet edhe në Statutin e ri të UP-së, i cili kërkon zbatimin e plotë të tij në të gjitha fakultetet.