Hulumtimi: Shumë nxënës kosovarë „të lidhur” për telefona

26 Tetor 2024
SHARE

Një hulumtim i bërë nga dy profesorë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës me nxënës dhe arsimtarë të shkollave fillore nxori përfundimet se të anketuarit-fëmijë rrinë shumë në internet dhe kanë nevojë për edukim medial.

Profesorët Arben Fetoshi e Faton Ismajli, gjetjet e hulumtimit të titulluar „Ndikimi i Mediave Sociale te Nxënësit në Kosovë: Një Studim nga Perspektiva e Mësimdhënësve”, i bazuan në anketimin e 651 nxënësve dhe 131 mësimdhënësve të klasave të pesta në shtatë qendrat rajonale të Kosovës.

Nga hulumtimi doli se gati gjysma e nxënësve kosovarë të klasave të pesta të anketuar (40.1%) qëndrojnë online mbi 3 orë gjatë ditës, derisa 24.1% e tyre s’kanë asnjë kufizim nga prindërit. 20 për qind e këtyre nxënësve thanë se pesë orë të ditës i kalojnë në internet.

Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, gjatë prezantimit të fakteve të hulumtimit, thanë se, sipas mësimdhënësve të intervistuar, 60.3 për qind e prindërve shqetësim kryesor e kanë përqendrimin e fëmijëve të tyre në mësimnxënie.

Por hulumtimi e dëshmoi se përqendrimi i nxënësve në mësim ka rënë, pasi 65.6 për qind e nxënësve të anketuar janë të shpërqendruar, 57,3 për qind më pak të disiplinuar dhe 46,6 për qind lexojnë më pak.

Nxënësit e përfshirë në hulumtim (75,7 për qind e tyre) kërkuan të kenë më shumë njohuri për mediet dhe përdorimin e tyre, por vetëm çereku i mësimdhënësve (29,8 për qind) dhe prindërve (35,3 për qind) flasin me nxënësit dhe fëmijët çdo ditë për këto media.

Profesorët Fetoshi e Ismajli rekomandojnë mes tjerash nxitje të nxënësve për të përdorur aplikacione që rrisin mendimin kritik, trajnim të mësimdhënësve në lidhje me mediat dhe mjedisin digjital dhe edukim medial të nxënësve që nga klasa e parë.

Hulumtimi u prezantua gjatë Javës Globale për Edukimin mbi Median dhe Informacionin, ndërsa u mbështet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).