Në Ditën e Studentëve që për herë të parë festohet më 1 tetor, prorektori për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacion Avni Hajdari i konsideroi studentët ,,motorin kryesor të suksesit dhe shtetndërtimit”.
Kjo ditë u organizua nga Parlamenti Studentor dhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa prorektori Hajdari më tutje kujtoi të kaluarën plot sfida e sakrifica të këtij institucioni.
,,Universiteti i Prishtinës, edhe pse me një histori relativisht të shkurtër, mbart mbi supe një të kaluar të pasur dhe të lavdishme. Ka qenë gjithmonë promotor i ngjarjeve të rëndësishme që kanë udhëhequr zhvillimet në Kosovë”, tha Hajdari.
Vetë dita që u kushtohet studentëve, ndodhi në përvjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997.
Njëzet e shtatë vjet më parë studentët e atëhershëm të UP-së nën drejtimin e Unionit të Pavarur, ish-rektorit Ejup Statovci dhe profesorëve, të veshur me të bardha marshuan në protestën për kthim në objektet shkollore nga të cilat ishin larguar me dhunë.
Protesta u shpërnda me forcë nga policia e ish-regjimit serb, por u pa që atëherë si ngjarje që lëvizi proceset drejt çlirimit përfundimtar të vendit.
Në Ditën e Studentëve u nderuan me mirënjohje anëtarët e Këshillit të Protestave të ’97-ës, ndërsa fjalim mbajti Mihane Salihu-Bala, aktiviste e asaj kohe.
Për studentët e sotëm dhe të dikurshëm folën edhe Arsim Ademi, zëvendësministri i Arsimit, kryetarja e Parlamentit Studentor Blerta Zeqiraj dhe ish-kryetari Edon Nishori.
Dita e Studentëve më parë organizohej më 23 prill.