Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të VentureUP, z. Kreshnik Lleshi, nënshkruan marrëveshjen për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës dhe VentureUP.
Marrëveshja ka për qëllim të mbështesë studentët dhe profesorët e UP-së në fushën e ndërrmarrësisë në themelimin e ndërrmarrjeve të reja përmes inkubatorit të biznesit, të ofrojë trajnime specifike në bazë të nevojave të tregut, si dhe të mbështesë hulumtuesit e UP-së në komercializimin e punës së tyre hulumtuese përmes transferit të dijës dhe teknologjisë.
Që nga themelimi, në vitin 2017, VentureUP, si Qendër e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë e Universitetit të Prishtinës, ka ndihmuar në themelimin e dhjetra ndërmarrjeve të reja me qindra të punësuar, ka trajnuar me mijëra studentë dhe të rinj, prej të cilëve me qindra janë punësuar, dhe ka mbështetur profesorë në patentimin e punës së tyre hulumtuese.
Marrëveshja e re 5-vjeçare e fuqizon edhe më shumë bashkëpunimin në mes të UP-së dhe VentureUP me qëllim të rritjes së edukimit në inovacion dhe ndërrmarrësi, si dhe mundësive në themelimin e ndërrmarrjeve të reja, fuqizimin e bashkëpunimit në mes UP-së dhe sektorit privat, përmes ofrimit të trajnimeve në bazë të kërkesave të sektorit privat, si dhe rritjes së mbështetjes për hulumtuesit e UP-së në zhvillimin e produkteve të reja inovative.