Rektori Qerimi priti sot në takim ekipin përfaqësues të Fakultetit Juridik/UP-së, të cilët arritën sukses të jashtëzakonshëm në garën prestigjioze të Drejtësisë Penale Ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2024”

31 Korrik 2024
SHARE

Ekipi përfaqësues i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, në garën prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court 2024”, renditet në mesin e 12 ekipeve më të mira në nivel botëror nga kjo fushë, ku nga mbi 180 ekipe pjesëmarrëse nga universitete (fakultete juridike) prestigjioze, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale. Kjo garë është mbajtur në  Nuremberg të Gjermanisë, në mjediset e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore).
 
Rektori Qerimi shprehu mirënjohjen e thellë për anëtaret e ekipit dhe ritheksoi përkushtimin e universitetit për mbështetjen e studentëve për përfaqësim e pjesëmarrje në gara e forume ndërkombëtare prestigjioze dhe në përgjithësi për rritjen e mundësive dhe përvojave ndërkombëtare për studentët e UP-së. Në këtë drejtim, rezultatet e viteve të fundit tregojnë për nivelin e formimit, talentin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të studentëve të UP-së.
 
Kjo është një mundësi shumë e veçantë për promovimin e Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare, që janë pjesë e jurisë), ku simulohet praktika e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), por edhe të studentëve të tjerë pjesëmarrës në garë.
 
Ky sukses i jashtëzakonshëm është rezultat i një përkushtimi dhe pune disamujore i ekipit të përbërë nga studentet e shkëlqyera: Albina Uka, Era Vitija dhe Gresa Potera, si dhe trajnerëve Ass. Besnik Beqaj dhe Nisa Ferati (Alumni e UP-së), si dhe mbështetjen e prof. Avni Puka, njëherësh dekan i fakultetit.
 
Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së konfirmon cilësinë e studimeve në Universitetin e Prishtinës, dëshmon për cilësitë dhe mundësitë e studentëve, si dhe afirmon perspektivën e juristëve të rinj në Republikën e Kosovës.