Rektori dhe Ambasadori i BE-së, vizitojnë objektin e ri të FSHMN-së – Një investim për modernizimin e mjediseve studimore dhe kërkimore

30 Korrik 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, bashkë me Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e vizituan objektin e ri të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore (FSHMN), ku shikuan nga afër punimet dhe u interesuan për procesin e finalizimit të objektit.

Ambasadori Szunyog e vlerësoi lart ecurinë e ndërtimit në objektin e FSHMN-së, i cili theksoi se duke investuar në arsim, BE-ja, që është investitori kryesor në këtë rast, po investon në të ardhmen e Kosovës, duke mbështetur gjeneratën e ardhshme të shkencëtarëve të Kosovës. UP-ja dhe MASHTI janë, gjithashtu, bashkë-investitorë në projekt.

Nga ana e tij, rektori Qerimi falënderoi ambasadorin Szunyog për kontributin e tij dhe shprehu mirënjohjen e thellë për investimin që po bën BE-ja në këtë qendër të rëndësishme universitare, duke ndihmuar në avancimin dhe modernizimin e infrastrukturës për studime dhe kërkime dhe kësisoj duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë ndërkombëtare të universitetit.

Rektori vuri në dukje se, me përfundimin e këtij objekti, UP-së do t’i shtohet një mjedis modern, që plotëson standardet më të larta evropiane, një mjedis ku studentët tanë do të kenë mundësinë të materializojnë ambiciet e tyre dhe arrijnë qëllimet e tyre në profesion dhe karrierë.

Objekti, që pritet të jetë gati për fillimin e vitit të ardhshëm akademik (2025), është konceptuar në një mënyrë që i kontribuon një kampusi të qëndrueshëm, të përputhshëm me aspiratat mjedisore, dhe që promovon barazinë gjinore, përfshirjen dhe plotëson nevojat programore të së ardhmes.