UP-ja themelon Qendrën për Novacion, Laborator dhe Teknologji në Fakultetin e Arkitekturës – U shtohet dhjetë qendrave dhe instituteve tjera të themeluara gjatë vitit të fundit

25 Korrik 2024
SHARE

Në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për themelimin e Qendrës për Novacion, Laborator dhe Teknologji në Fakultetin e Arkitekturës të UP-së.
Qendra për Novacion, Laborator dhe Teknologji (QNLT) në Fakultetin e Arkitekturës është një nismë strategjike që synon të fuqizojë kapacitetet hulumtuese dhe edukative të fakultetit, përmes krijimit të një mjedisi inovativ dhe ndërdisiplinor. 

QNLT-ja do të shërbejë si një platformë për avancimin e njohurive teknologjike, promovimin e kërkimit shkencor dhe aplikimin e metodave bashkëkohore në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe ndërtimit.
Ideja është që QNLT-ja të shërbejë si një qendër e specializuar që ofron resurse dhe mundësi për studentët, profesorët dhe profesionistët e fushës së arkitekturës, urbanistikës dhe inxhinierisë për të zhvilluar dhe aplikuar inovacione teknologjike. 

Misioni i saj është të mbështesë zhvillimin e aftësive praktike dhe teorike, të stimulojë kreativitetin dhe të nxisë zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative në projektimin arkitektonik, urban dhe inxhinierik për ndërtimin e hapësirave arkitektonike, urbane dhe rurale.
Universiteti ka promovuar dhe mbështetur nismat për themelimin dhe fuqizimin e qendrave dhe të instituteve kërkimore, si në nivel të universitetit ashtu edhe në nivel të njësive akademike, me qëllim rigjallërimin dhe rritjen e aktivitetit kërkimor dhe produktivitetit akademik, si dhe shtrirjen e ndikimit të tij në shoqëri dhe avancimin në rangimet ndërkombëtare.

Vetëm në periudhën paraprake rreth njëvjeçare, UP-ja ka themeluar edhe dhjetë qendra e institute të tjera, përfshirë këtu Qendrën për Studime Klinike në Fakultetin Juridik; Qendrën Mediale të UP-së; Qendrën për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësisë Tranzicionale; Qendrën për Studime të Avancuara të UP-së; Qendrën për Studentët me Nevoja të Veçanta; Institutin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit; Institutin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik; Institutin e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë; Institutin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik dhe Institutin për Kërkime në Arkitekturë dhe Urbanizëm në Fakultetin e Arkitekturës.

Në proces, universiteti ka krijuar lehtësi procedurale dhe financiare, si dhe me miratimin e statutit të ri, fuqizohet edhe më tej autonomia dhe kapaciteti institucional i qendrave dhe instituteve kërkimore.