Në këtë konferencë morën pjesë mbi 180 pjesëmarrës nga 25 vende të botës, ku u prezantuan mbi 100 prezantime shkencore.
Kjo arritje shkencore e rëndësishme për vendin tonë nuk do të ishte e mundur pa vullnetin e fortë të ekipit REST nga diaspora shqiptare dhe bashkëpunimin e shumë vendeve nga e gjithë bota.
Dy vjet përgatitje dhe dy ditë prezantime dhe diskutime të nivelit të lartë shkencor e vendosën Kosovën në hartën e IEEE-së.
Në fjalimin e hapjes, si nikoqirë të konferencës, prof. Isak Shabani, së bashku me dr. Kristian Sevdarin, në emër të ekipit organizues, theksuan rolin e konferencës në shkencën kosovare dhe ndërkombëtare.
E falënderojmë për pjesëmarrjen dhe fjalimin motivues të hapjes së konferencës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli.
Anëtarët e ekipit drejtues të konferencës, Adhurim Haxhimusa nga “Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grisonsit” në Zvicër dhe Fitim Kryeziu njëri nga ideatorët e projektit më të madh të fushës së energjisë “Ishulli i Energjisë” në Danimarkë, gjatë gjithë kohës udhëhoqën diskutimet e nivelit të lartë shkencor dhe industrial, për të cilët i falënderojmë për kontributin e çmuar.
Me organizimin e konferencave REST-22 dhe REST-24 nën logon e IEEE-së, Kosova dhe Shqipëria kanë fituar një prezencë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të shkencës.
Konferencat si kjo do të thellojë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të ndërtojë ura ndërmjet rajoneve dhe universiteteve që morën pjesë në konferencë.
UP-ja i falënderon të gjithë pjesëmarrësit, kontribuesit dhe mbështetësit e konferencës!