UP-ja, në konzorcium me Universitetin e Milanos, Parmës dhe King’s College London, në praktika të përbashkëta

01 Korrik 2024
SHARE

Në kuadër të projektit NanoKos, që implementohet në Universitetin e Prishtinës në konzorcium me Universitetin e Milanos, Parmës dhe King’s College London, në tema të diplomës për studimet e integruara dhe master, të diplomuar, doktoratë, postdoktoratë, po marrin pjesë në praktikat e këtij projekti të përbashkët.

Me krenari po prezantojmë disa nga studiuesit e tremujorit të parë dhe praktikantët aktualë, kryesisht nga Universiteti i Prishtinës, por edhe nga institucionet publike: si Instituti i Hidrometeorologjisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Universiteti “Fehmi Agani”, të cilët po bëjnë hapa të rëndësishëm në fushat e tyre përkatëse përmes përvojës praktike në laboratorë.

Këta kërkues shkencorë të përkushtuar aktualisht po marrin pjesë në praktika në institucione partnere prestigjioze evropiane, ku po punojnë në projekte të ndryshme, duke filluar nga shkencat mjedisore deri te kërkimet mjekësore moderne.

Së fundi praktikantët morën pjesë aktivisht në konferencën e Shoqërisë Italiane për Kërkimet Kardiovaskulare (SIRC), organizuar nga Universiteti i Parmës. Ata kanë prezantuar dy prezantime me postera të dala nga puna e tyre. Një nga posterët e tyre të prezantuar u zgjodh si më i miri në mesin e shumë posterave të paraqitur nga ekipe të ndryshme në konferencë.

Këtyre studentëve dhe stafit iu dha kjo mundësi e jashtëzakonshme përmes projektit NanoKos (financuar nga Bashkimi Evropian), i cili synon avancimin e kërkimit në sferën e shkencave mjedisore dhe mjekësore, me fokus të veçantë në nanogrimcat dhe implikimet e tyre terapeutike dhe toksikologjike në shëndetin e njeriut.

Për më tepër, synon të nxisë përsosmërinë akademike dhe bashkëpunimin kërkimor me institucione kredibile evropiane dhe transferimin e dijës në implementimin e projekteve shkencore të ndërlidhura me pajisjet e sjella nga projekti në hapësirat ekzistuese dhe të reja laboratorike, të ndërtuara dhe inventarizuara nga Universiteti i Prishtinës.

Puna dhe përkushtimi i tyre me të vërtetë po shpërblehen dhe kjo tregon potencialin e studentëve dhe stafit tonë.