Rektori i UP-së e pret zyrtarin komandues të trupave të para britanike që hynë në Kosovë

12 Qershor 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, e mirëpret në takim Paul Gibsonin, drejtor i Grupit për Siguri në Mjedise Komplekse (SCEG).
Paul Gibson ishte oficer komandues i Batalionit të Parë të Regjimentit të Parashutistëve, nga trupat e para britanike që hynë në Kosovë më 12 qershor 1999.

Ai ka luajtur një rol kyç në kohën e luftës së Kosovës, duke udhëhequr Batalionin e Parë, Batalionin e Parashutistëve, nga viti 1998 deri në vitin 2000, si dhe ka mbikëqyrur vendosjen e trupave britanike ne Kosovë në vitin 1999, si pjesë e forcës paqeruajtëse të NATO-s. Për shërbimin e tij në Kosovë, atij i është dhënë Urdhri për Shërbim të Dalluar (OSSH).

Paul Gibson e viziton Kosovën pas 25 vjetësh dhe rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, e mirëpriti në takim, me ç’rast diskutuan për të kaluarën dhe të tashmen, si dhe për sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe.
Sipas Paul Gibsonit, Kosova ka përparuar në drejtime të rëndësishme.

Nga ana e tij, rektori shprehu falënderime për kontributin e dhënë nga Paul Gibson, kontribut i cili ka rezultuar në krijimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë dhe në studimin e kuptimin më të mirë të politikave ndërkombëtare të sigurisë.
Në takim, gjithashtu, u diskutuan ide për bashkëpunim në ngritjen dhe fuqizimin e programeve për studim të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.