UP-ja miraton Rregulloren e re për Mobilitetin e Personelit: Një hap inovativ drejt ndërkombëtarizimit

31 Maj 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka bërë një hap të rëndësishëm me miratimin e Rregullores për Mobilitetin e Personelit, një dokument mjaft i rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe përparimit të angazhimeve të UP-së në skenën globale.

Procesi i hartimit të kësaj rregulloreje u realizua me përkushtimin e një komisioni të udhëhequr nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Basha-Jakupi, dhe me mbështetjen e rektorit, prof. Qerim Qerimi. Përbërja e këtij komisioni përfshiu përfaqësues nga stafi i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, dekanët, si dhe ekspertë të rekrutuar nga projekti HEI 25, i financuar nga ADA, të cilët punuan me përkushtim për të garantuar që rregullorja të përmbushë standardet më të larta të efektivitetit dhe përfshirjes.

Kjo rregullore synon të vendosë parimet kryesore për zbatimin e mobilitetit të personelit në UP, duke përfshirë aspekte të ndryshme si natyra dhe kohëzgjatja e lëvizshmërisë, procedurat për dorëzimin dhe miratimin dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me implementimin e saj. Parimet kryesore që drejtojnë lëvizshmërinë e personelit të UP-së përfshijnë promovimin e mundësive të barabarta, partneritetin dhe bashkëpunimin, si dhe mbështetjen aktive për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces.

Në mënyrë thelbësore, rregullorja thekson decentralizimin dhe fuqizon stafin për të iniciuar dhe koordinuar marrëveshjet brenda njësive të tyre akademike përkatëse.

Universiteti i Prishtinës falënderon profesorët, dekanët dhe anëtarët e senatit për angazhimin e tyre në përfundimin e këtij procesi. Përpjekjet e tyre do të ndihmojnë UP-në të thellojë ndikimin dhe prezencën e saj në skenën ndërkombëtare, duke vazhduar të forcojë rolin e saj si një ndër institucionet udhëheqës në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Vlen të nënvizohet se në përpjekjen për të promovuar ndërkombëtarizimin, është bërë edhe shqyrtimi i Rregullores për Mobilitetin e Studentëve.