Rektori mirëpriti ekipet e UP-së, që triumfuan në garat ndërkombëtare për futsal dhe volejboll në Antwerpen dhe në Euro Milano 2024

08 Maj 2024
SHARE

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, e shprehu mirënjohjen e institucionit për arritjet e ekipeve dhe për përfaqësimin që i bënë UP-së dhe shtetit të Kosovës. Rektori u shpreh i kënaqur dhe thellësisht falënderues për arritjen e tyre dhe i inkurajoi për suksese të tjera në garat e ardhshme, si dhe për inspirimin e gjeneratave të ardhshme.

Ekipi përfaqësues i UP-së zuri vendin e parë në turneun ndërkombëtar në futsal, në kategoritë e vajzave dhe meshkujve, në lojërat e zhvilluara në Antwerpen të Belgjikës. Kjo garë u mbajt në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Antwerpen-it, ku morën pjesë 61 ekipe universitare.

Ekipet e UP-së u përfaqësuan edhe në garën ndërkombëtare Euro Milano 2024, ku ekipi i vajzave në futsal siguroi vendin e parë, derisa ekipi i vajzave në volejboll mori vendin e tretë.

Në ndeshjen e parë, ekipi i UP-së e mundi ekipin e Milanos, pastaj të Parisit dhe Gentit të Belgjikës, duke i mundur edhe të tjerët dhe, pa asnjë humbje, arriti në finale me ekipin e Gentit të Belgjikës, për të arritur fitore me rezultat 3:0.

Sporti universitar i Kosovës, i udhëhequr nga Universiteti i Prishtinës, është duke arritur rezultate të larta në gara ndërkombëtare dhe, në gjithnjë e më shumë raste, duke fituar çmimet e para.

Në takimin e sotëm, të pranishëm ishin edhe trajnerët, respektivisht dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. Musa Selimi, prof. Bahri Gjinovci, si dhe prof. Flamur Hyseni, anëtar i bordit të federatës së sportit universitar.

Ky triumf i studentëve të UP-së në Antwerpen të Belgjikës dhe ne Euro Milano 2024 tregon përkushtimin e studentëve dhe stafit, si dhe talentin e shkëlqyeshëm të sportistëve dhe trajnerëve të tyre, duke i ngritur ata në piedestalin e suksesit dhe krenarisë në arenën e sportit kombëtar dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja e ekipeve në këto gara është bërë e mundur me mbështetjen e universitetit.