UP forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Universitetin e Palermos dhe Universitetin e Mesinës, në Itali

18 Prill 2024
SHARE

Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, prof. Arta Basha-Jakupi, ka kryer një vizitë të rëndësishme në Universitetin e Palermos në Sicili, ku ka takuar homologun e saj, prof. dr. Fabio Mazzola, si dhe profesorët e njohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe, prof. dr. Matteo Mandalà dhe prof. dr. Gezim Gurga, së bashku me drejtoreshën e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Gioacchina Randazzo. Vizita ka pasur për qëllim zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të studimit dhe hulumtimit.

Vlen të theksohet se Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Palermos, nga qershori i vitit të kaluar, me iniciativën e prof. Gurgës, prof. Mandalës dhe dekanes së Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova.

Bashkëpunimi i dy profesorëve shqiptarë që ligjërojnë në Universitetin e Palermos ka qenë i shkëlqyer me Fakultetin e Filologjisë dhe dekanen Rugova, në fushën e studimeve të tyre, prandaj kjo përvojë tani synon të zgjerohet në fusha të tjera.
Gjatë diskutimit, u shqyrtuan mundësitë nga të dyja palët për shkëmbimin e studentëve, duke ofruar shumë mundësi për programe në gjuhën angleze, si nga Universiteti i Palermos, ashtu edhe nga Universiteti i Prishtinës.

Diskutimi ishte i frytshëm dhe, si rezultat, pala nga Palermo u ftua për vizitë në Universitetin e Prishtinës. Universiteti i Prishtinës inkurajon studentët dhe studiuesit e saj për të hulumtuar potencialet e mundshme për bashkëpunim me Universitetin e Palermos si një partner të dëshmuar dhe shumë të hapur për ne.

Në kuadër të vizitës në Sicili, prorektorja u prit në Universitetin e Mesinës nga prof. dr. Bruno Sergi, bashkëpunimi me të cilin filloi me iniciativën e rektorit Qerimi.

Universiteti i Mesinës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, pritet të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi.

Vlen të theksohet se këto dy universitete kanë marrëveshje nga programi Erasmus Mobility, një bashkëpunim që pritet të zgjerohet në të gjitha fushat e studimit në të ardhmen.
Universiteti i Prishtinës shpreh falënderimin për prof. Gurgën, prof. Matteon dhe prof. Sergi për iniciativën dhe angazhimin në realizimin e këtyre bashkëpunimeve.