Inaugurohet Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe: Jep frytin puna 4-vjeçare vullnetare e stafit dhe studentëve të UP-së

26 Mars 2024
SHARE

Sot, në 25-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, në një ceremoni madhështore, u bë inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe.

Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe qëndron si një dëshmi e sakrificave të bëra nga individë të panumërt gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe inaugurimi i tij shënon një moment kyç në ruajtjen dhe përkujtimin e kujtesës së tyre.

Në mesin e shumë personaliteteve shtetërore të Republikës së Kosovës, ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë, i pranishëm ishte edhe rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi.

UP-ja ka dhënë kontributin e vet përmes stafit dhe studentëve të Departamentit të Antropologjisë, që kanë punuar në mbledhjen, dokumentimin, realizimin e 200 videointervistave (2021-2022), konceptimin, dizajnimin dhe kurimin e këtij muzeu.

Po ashtu, profesorët e Departamentit të Antropologjisë, prof. asoc dr. Arsim Canolli, prof. ass. dr. Tahir Latifi dhe prof. asoc. dr. Florina Jerliu kanë udhëhequr, në mënyrë vullnetare, grupin punues të dizajnimit dhe kurimit të ekspozitës (2023-2024), së bashku me studentët e Antropologjisë dhe Arkitekturës.

Kjo punë e stafit dhe studentëve të UP-së do të vazhdojë edhe në fazën e dytë për të monumentalizuar peizazhin kujtesor të masakrës së Krushës së Madhe.