Universiteti i Prishtinës organizon tryezë diskutimi me juriskonsulenten e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe studentët e Programit Master “Të drejtat e njeriut, e drejta penale ndërkombëtare dhe drejtësi tranzicionale”

25 Tetor 2023
SHARE

UP organizon tryezë diskutimi me studentët e Fakultetit Juridik të programit të ri të masterit në gjuhën angleze “Të drejtat e njeriut, e drejta penale ndërkombëtare dhe drejtësia tranzicionale”.

Të pranishmit në këtë takim i pritën rektori Qerim Qerimi dhe dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka. Në mesin e të pranishmëve ishin znj. Anna Austin, juriskonsulente në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, z. Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë dhe stafi i tij.

Qëllimi i tryezës ishte të diskutonte me studentët praktikat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), funksionimin e juriskonsulencës brenda gjykatës, garantimin e cilësisë së gjykimit dhe vendimeve të GJEDNJ, kontributin në zhvillimin dhe shpërndarjen e jurisprudencës së gjykatës, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet evropiane. 

Studentët u përgëzuan për fillimin e studimeve në një program unik, me përfshirjen e studentëve të parë të rregullt ndërkombëtarë në UP, ku ligjërues do të jenë profesorë nga universitetet prestigjioze ndërkombëtare, si dhe mundësi të shumta për trajnimin e juristëve të ardhshëm.  Studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të zhvillojnë një bisedë shumë interesante me znj. Austin dhe z. Power, lidhur me jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe fushëveprimin e Këshillit të Evropës. 

Rektori Qerimi, në veçanti falënderoj Zyrën e Këshillit të Evropës për mbështetjen e vazhdueshme të UP-së, Fakultetit Juridik, përmes angazhimit të ekspertëve dhe profesorëve në zbatimin e reformave të kurrikulës, veçanërisht në hartimin e kurrikulës dhe zhvillimi i programit të ri në gjuhën angleze, në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës penale ndërkombëtare dhe drejtësisë tranzicionale.