Konferenca e XVIII ndërkombëtare për inteligjencën artificiale në arsim dhe kërkim shkencor filloi në Bibliotekën Universitare të Prishtinës, e bashkëorganizuar nga Universiteti i Prishtinës me Institutin Alb-Shkenca, dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Shoqëria gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ).
Përmes kësaj konference, ku marrin pjesë studiues shkencorë, kumtojnë arritjet e tyre më të fundit në fusha specifike të kërkimit dhe ekspertizës dhe synon bashkëpunimin mes shkencëtarëve shqiptarë.
Gjatë fjalës së hapjes së konferencës, rektori Qerim Qerimi përshëndeti të pranishmit dhe nënvizoi temën qendrore të edicionit të 18-të. Veçanërisht, rektori Qerim Qerimi theksoi prezantimin e fundit të UP-së, një platformë e dedikuar për njohuri dhe kërkime shkencore, Insight. Më tej, rektori Qerimi theksoi rolin kryesor të inteligjencës artificiale në përhapjen e edukimit shkencor dhe ndikimin e saj të thellë në të ardhmen.
Fjalë rasti mbajtën edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, kryetari i IASH-it dega në Kosovë, Dr. Ali Caka, kryetari i nderit i IASH-it, prof. dr. Niko Qafoku, drejtori i përgjithsëm i IASH-it, prof. Gentian Zyberi dhe sekretarja e IASH-it, znj. Mihane Kerolli.
Konferenca vazhdon punën e saj për dy ditë radhazi me 4 panele me temën e inteligjencës artificiale në arsim dhe kërkimin shkencor, si në shkencat natyrore, në shkencat humane dhe në sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor. Ndërkaq, në ditën e dytë do të mbahen sesione në filologji, histori, kulturë, shkenca natyrore dhe mjedis, bujqësi, drejtësi, ekonomi dhe fusha të tjera të rëndësishme.