Mbahet mbledhja e Trupit Këshillëdhënës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore

13 Tetor 2023
SHARE

Mbledhja e trupit këshillëdhënës u mbajt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore. Takimin e hapi menaxhmenti i UP-së, përkatësisht prorektorja Llullaku. Prorektorja nënvizoi planin e universitetit për krijimin dhe zbatimin e programit të punës praktike për studentët si “Praktika universitare”, si dhe krijimin e një platforme online të karrierës që do t'u mundësojë studentëve të lidhen dhe të aplikojnë drejtpërdrejt me kompanitë dhe punëdhënësit e mundshëm. Prorektorja Llullaku theksoi rëndësinë e ligjëratave si “ligjërues të ftuar”, ku mund të ftohen ekspertë të fushës profesionale nga sektori i biznesit dhe studentët jo vetëm që do të kenë mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me ekspertët, por edhe të mësojnë nga përvoja dhe ekspertiza e tyre profesionale.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, prof. Idriz Vehapi vlerësoi kontributetet e trupës dhe theksoi programet e këtij fakulteti, si fakulteti me numrin më të madh të programeve bachelor me 10 programe dhe 9 programe master. Dekani Vehapi nënvizoi edhe programet në pjesën e akreditimit të programeve në FSHMN.

Agron Shala, kryesues i trupës në FSHMN dhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vlerësoi prezencën dhe kontributin e anëtarëve të kësaj trupe.

Ndër të tjera, të pranishëm në këtë takim ishte edhe prodekani në FSHMN, prof. Arben Haziri,  sekretari në FSHMN, Jeton Hysen, udhëheqësi i zyrës për zhvillim akademik, Besnik Loxha dhe anëtarë të TK-së.

Flamur Kadriu nga AUV dhe anëtar i TK-së së FSHMN-së theksoi marrëveshjet me fakultetin dhe pranimin e studentëve për praktikë në këtë institucion.  Ndërsa Agon Kabashi nga banka Raiffeisan veçoi ofrimin e mundësive dhe  praktikave për studentët e fakultetit.

Nga takimi u nxorën disa pika të rëndësishme, si për programet e studimit dhe ngritjen e numrit të programeve të reja të studimit të nevojshme në këtë fakultet, si dhe krijimin e një programi praktik të punës, ku studentët do të kenë mundësi të angazhohen në praktikë.