Është mbajtur mbledhja e bordit industrial për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Takimin e hapi menaxhmenti i UP-së, përkatësisht rektori Qerim Qerimi i cili theksoi mënyrat e ndryshme për të fituar nga njëri-tjetri dhe në këtë rast me bordin në atë mënyrë që studenti që diplomohet nga ky fakultet të ketë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme kur aplikon në kompani të ndryshme. Rektori falënderoi edhe anëtarët e bordit, i cili është një interes i vlefshëm për lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës.
Dekani i fakultetit, prof. Florim Grajçevci shprehu synimet dhe bashkëpunimin e bordit me sektorin privat në projekte që forcojnë arsimin e lartë. Dekani Grajçevci bëri të ditur se Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka akredituar dhe riakredituar 8 programe studimi në të cilat bordi industrial ka dhënë kontributin e tij në këtë rast dhe në rastet e mbështetjes për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës, deri në organizimin e ICCE 2, konferencë ndërkombëtare, mbështetjen në organizimin e konferencës studentore dhe konferencës ndërkombëtare ICCE 3 në vitin 2025. Dekani Grajçevc vlerësoi mundësinë e bordit për të mbajtur ligjërata të hapura për studentët çdo muaj, pasi që deri më tani fakulteti ka pranuar 10 profesorë ndërkombëtarë dhe inkurajon bordin në këto nisma.
Ndër të tjera, kryetari i bordit industrial, z. Afrim Demiri nga kompania KRU Prishtina, theksoi mbështetjen që i është dhënë bordit të këtij fakulteti nga tregu i punës në mundësinë e ardhjes së profesorëve ndërkombëtarë për të ligjëruar në këtë fakultet, organizimin e konferencave vendore dhe ndërkombëtare, organizimin e tryezave të diskutimit për inxhinierinë dhe arkitekturën, deri në akreditimin e programeve. Kryetari i bordit propozoi mundësinë e organizimit të panaireve të punës në të cilat kërkesat e kompanive për punë praktike do të jenë më afër studentëve.
Profesori dhe anëtari i Këshillit Drejtues në UP, prof. Naser Kabashi theksoi mundësinë e mbështetjes nga institutet e mirëfillta që bashkëpunojnë me bordin industrial.
Ndër të tjera, anëtari i TK-së, z. Luan Abazi nga kompania “Geometri”, theksoi nevojën e rritjes së numrit të studentëve në drejtimet teknike dhe masës së bursave për student.
Rektori Qerim Qerimi theksoi disa nga iniciativat e ndërmarra së fundmi që kanë në fokus studentët e universitetit: si bursat për studentë në nivelet master dhe doktoraturë, rritja e masës së kompensimit për studentët që janë në praktikë në universitet.
Në takim ishin të pranishëm prodekanët e fakultetit, sekretarja e fakultetit, stafi i QZhK-së si dhe anëtarë të tjerë të TK-së - partnerë të sektorit privat.
Gjatë takimit u diskutua dhe krijimi i një fondi të TK-së për mbulimin e nevojave emergjente të fakulteteve teknike dhe projekteve ndërkombëtare që synojnë avancimin në procesin mësimor, kërkime dhe infrastrukturë.
Bordi industrial në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit e ka zanafillën në vitin 2013.