U mbajt mbledhja e bordit industrial për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, organizuar në bashkëpunim me aktivitetin e USAID-it "Partneritetet me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë", për vitin akademik 2023. Takimi u hap nga dekani i fakulteti, prof. Bedri Dragusha, i cili shprehu synimet dhe bashkëpunimet me sektorin privat, projektet e tyre që forcojnë arsimin e lartë. Dekani Dragusha theksoi 11 programet e studimit në këtë fakultet në dy nivele studimi dhe lidhjen e tyre me mirëqenien ekonomike të vendit.
Menaxhmenti i UP-së, përkatësisht prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, falënderoi partnerët e këtij projekti që janë nga sektori privat, nga tregu i punës, në zhvillimin e kurrikulës dhe reformën në këtë aspekt. Prorektorja Llullaku nënvizoi edhe zhvillimin e një kurrikule që i mëson studentët në aspektin praktik.
Ndër të tjera, anëtarët e TK-së, përkatësisht Hartim Gashi nga organizata PePeKo, theksoi nevojën për reforma reale që do t'u ofrojnë studentëve njohuri praktike.
Në takim ishin të pranishëm dhe prodekanët e FBV-së, stafi i QZhK-së, stafi i projektit të USAID-it, si dhe anëtarë të tjerë të TK-së- partnerët e sektorit privat.
Këto takime të bordit janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar ura të forta ndërmjet UP-së dhe tregut të punës. Këto bashkëpunime do të përfshijnë:
• Mbledhjen dhe analizën e të dhënave mbi nevojat e tregut.
• Përmirësimin e kurrikulave për të përmbushur kërkesat e industrisë.
• Mundësi për punë praktike dhe aplikim të njohurive.
• Hulumtime të avancuara që do të vijnë nga bashkëpunimi midis studentëve, profesorëve dhe bizneseve private.
Përpjekje të tilla bashkëpunuese përputhen me përkushtimin e universitetit për të kapërcyer hendekun midis akademisë dhe sektorit privat dhe krijimin e mundësive praktike të punës për të diplomuarit tanë.