U mbajt sot takimi i radhës i Trupit Këshillëdhënës (TK) të Filologjikut. Të pranishëm në takim ishin rektori Qerim Qerimi, prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku dekanja Sejdiu-Rugova, prodekanja Milote Sadiku, prodekani Avdi Visoka, stafi i QZhK-së si dhe anëtarët e trupit këshillëdhënës. Takimin e hapi dekanja e Fakultetit Filologjik, prof. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila e nisi këtë takim duke treguar historikun e TK-së në këtë fakultet dhe shprehu mirënjohjen e saj dhe të stafit të fakultetit dhe për interesimin e përfaqësuesve të tregut të punës, përkatësisht anëtarëve të trupit këshillëdhënës, që me pjesëmarrjen e tyre të kontribuojnë në këtë TK.
Të pranishmëve iu drejtua menaxhmenti i UP-së, konkretisht rektori Qerim Qerimi, i cili theksoi se krijimi i trupave këshillëdhënëse në kuadër të fakulteteve të UP-së është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të universitetit për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të nxitur lidhje më të forta me botën përtej kampusit universitar. Rektori Qerimi vlerësoi rëndësinë që në programet akademike të jenë jo vetëm teorike, por edhe praktike, relevante dhe në përputhje me nevojat në zhvillimin e tregun e punës. “Bashkëpunimi ndërmjet fakultetit dhe trupës mundëson ofrimin e mundësive të shumta për studentët tanë, të cilat u ofrojnë studentëve tanë përvoja të paçmueshme të botës reale, duke kapërcyer hendekun midis teorisë dhe praktikës” u theksua nga rektori Qerimi.
Ndersa prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, theksoi rëndësinë e një platforme që do të lidhë CV-të e studentëve me aplikacionet e hapura nga sektori privat, përkatësisht tregu i punës. Së dyti, proektorja Llullaku theksoi rëndësinë e kurrikulës, zhvillimin e saj në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Së fundi, lidhja e të gjitha TK-ve të fakulteteve të UP-së për të mirën e njëri-tjetrit.
Mes të tjerash, profesor Alban Zeneli vuri në pah rezultatet e Fakultetit Filologjik në tregun e punës dhe si ky fakultet ka matur këtë rezultat.
Në takim ishin të pranishëm dhe stafi i QZhK-së, si dhe anëtarë të tjerë të TK-së.
Trupi Këshillëdhënës i Fakultetit Filologjik është themeluar në vitin 2015.