Është mbajtur sot takimi i rifunksionalizimit të trupi këshillëdhënës të Fakultetit Ekonomik. Takimin e hapi dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. Driton Balaj, i cili shprehu mirënjohjen e tij dhe të stafit të fakultetit ndaj interesimit të përfaqësuesve të tregut të punës, përkatësisht anëtarëve të trupit këshillëdhënës, që me pjesëmarrjen e tyre të kontribuojnë në takimin e me të cilët kanë dhe marrëveshje bashkëpunimi dhe që kanë ndihmuar dhe në procesin e akreditimit të gjashtë programeve të këtij fakulteti.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe menaxhmenti i UP-së, përkatësisht prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, e cila theksoi përkushtimin e UP-së në lidhjen e programeve me tregun e punës. Prorektorja Llullaku nënvizoi rolin themelor të TK-ve në lidhjen e tregut të punës. Pastaj rëndësia e praktikës dhe jetësimit të saj për të gjitha njësitë akademike. Në fund, prorektorja Llullaku theksoi rëndësinë e një platforme që do të përfshijë CV-të e studentëve dhe paraqitjen e aplikimeve për punë në mënyrë që studentët të kenë akses më të lehtë në tregun e punës.
Ndër të tjera, anëtarët e TK-së theksuan se kanë pasur edhe më herët bashkëpunime me Fakultetin Ekonomik, madje edhe nënshkrimin e Memorandumeve të Bashkëpunimit dhe se shumica e studentëve të UP-së kanë qenë në praktikë, programe praktike apo programe të tjera në kompanitë dhe insitucionet pjesëmarrëse. Ndër të tjera, Ilir Berisha nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka theksuar nevojën e akreditimit të një programi statistikash në Fakultetin Ekonomik. Ndërsa Bujar Statovci nga Banka për Biznes theksoi se banka ka programin BpB Junior në të cilin 60% e pjesëmarrësve janë nga Fakulteti Ekonomik i UP-së, program i cili zgjat 3-4 muaj dhe u ofron studentëve njohuri praktike nga bankat. Learta Berisha nga KEDS- KSCO, ndër të tjera theksoi se në akademinë e tyre – KEDS Akademi ka shumë studentë të Fakultetit Ekonomik që janë pjesëmarrës për më shumë se 10 vite.
Në takim ishin të pranishëm prodekanët e Fakultetit Ekonomik, sekretarja e fakultetit dhe stafi i QZhK-së, si dhe anëtarë të tjerë të TK-së.
Trupi Këshillëdhënës në Fakultetin Ekonomik u rifunksionalizua duke zgjedhur kryesuesen, znj. Albina Metaj nga Banka ProCredit dhe zëvendëskryesuen, znj. Florentina Dushi nga Grupi i Zhvillimit të Biznesit.