Lansohet projekti “Avancimi i përbashkët i trajnimeve dhe punësimit në sektorin e arsimit në Kosovë- TAKE”, i cili implementohet nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës

22 Shtator 2023
SHARE

Sot u shënua fillimi zyrtar i projektit “Avancimi i përbashkët i trajnimeve dhe punësimit në sektorin e arsimit në Kosovë (TAKE)” një përpjekje implementimi në mes të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe mbështetjes të Caritas-it të Zvicrës (CACH) në Kosovë. Objektivi parësor i kësaj nisme është të përmirësojë cilësinë e edukimit të hershëm dhe të ndihmojë në zhvillimin profesional të edukatorëve.

Të pranishmit në lansimin e projektit ishin rektori Qerim Qerimi, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, prodekanja për studime të doktoraturës dhe sigurim i cilësisë, prof. Majlinda Zhitija Gjelaj, përfaqësuesja nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacion-MASHTI, drejtori për Kosovë i Caritasit Zviceran, z. Gerhard Schaumberger si dhe profesorë dhe edukatorë.

Rektori Qerim Qerimi theksoi se ky projekt paraqet një nismë të re që bazohet në vazhdimësinë e projekteve të mëparshme, duke krijuar një kornizë për bashkëpunim mes të gjitha fakulteteve të edukimit në Kosovë. Rektori nënvizoi se kjo nismë ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të njohurive dhe avancimin e edukimit të hershëm si themeli i zhvillimit arsimor.

Dekani Blerim Saqipi, përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe z. Schaumberger, përfaqësues i Caritas-it në Kosovë, theksuan gjithashtu rëndësinë e këtij projekti në fjalimet e tyre para të pranishmëve.

Prodekanja Zhitija Gjelaj dha një pasqyrë koncize të projektit gjatë prezantimit të saj.

Projekti synon të sigurojë ofrimin e edukimit të hershëm cilësor për fëmijët, të fuqizojë profesionistët e angazhuar në zhvillimin e fëmijëve dhe të fuqizojë edukatorët e rinj dhe ata në shërbim duke rritur kapacitetet e tyre monitoruese dhe praktike.

Përmes këtij projekti, 100 studentë do të kenë mundësi të zhvillojnë punë praktike për 5 muaj në institucione edukative arsimore parashkollore brenda Kosovës.

Ky projekt financohet nga Qeveria, Principata e Lihtenshtajnit. Implementimi i projektit realizohet në bashkëpunim ndërmjet Fakultetit të Edukimit, Universitetit të Prishtinës dhe Caritas-it të Zvicrës (CACH).