UP-ja, pjesë e Kongresit Botëror të Bibliotekës dhe Informacionit

21 Shtator 2023
SHARE

Në Roterdam të Holandës është mbajtur Kongresi Botëror i Bibliotekës dhe Informacionit, i 88-ti me radhë, organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Institucioneve dhe Organizatave Bibliotekare (IFLA), që njëherësh është edhe institucioni kryesor botëror në fushë të bibliotekonomisë. Në këtë kongres ka marrë pjesë edhe Universiteti i Prishtinës, i përfaqësuar nga znj. Jehona Shala, specialiste e bibliotekonomisë në Bibliotekën Qendrore Universitare të UP-së (BQU).

Shala është paraqitur në sesionin e Bibliografisë me punimin “Implikimet politike në hartimin e Bibliografisë së parë Kombëtare të Kosovës”, përmes të cilit ka arsyetuar kërkesën për një bibliografi të tillë dhe ka analizuar sfidat e realizimit të këtij projekti në kushtet e një vendi me veçori historike e politike, siç është Kosova. Me këtë rast, ajo ka argumentuar mbi nevojën e integrimit të vendit tonë në praktikat e standardizuara botërore të bibliotekonomisë, duke theksuar nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosovës t’i mundësohet shfrytëzimi i instrumenteve që ndihmojnë zhvillimin e bibliografisë kombëtare, sikurse janë kodi i veçantë për Kosovën në tabelën e Kodeve të Vendeve në Klasifikimin Universal Decimal, Kodin Ndërkombëtar për Burime Serike (ISMN), Kodin Ndërkombëtar për Publikimet Audiovizuale (ISAN) e të tjera.

Prezantimi u përcoll me vëmendje dhe zgjoi interesim për diskutim në mesin e të pranishmëve. Shala, e cila njëkohësisht është edhe kandidate për doktoratë në Degën e Letërsisë Shqipe në UP, hulumtimin e saj e ka fokusuar pikërisht në çështjet e klasifikimit bibliografik të letërsisë shqipe, duke iu përgjigjur interesimit të panelistëve për punimin, por edhe për zhvillimin e bibliotekonomisë përgjithësisht në Kosovë.

Gjithashtu, punimi i znj. Jehona Shala është lexuar, trajtuar dhe miratuar për botim në takimet parakonferenciale mbajtur në Bruksel, në diskutimet me temën: Kontrolli Universal Bibliografik në udhëkryq: sfidat për unifikimin e standardeve bibliografike të IFLA-s, organizuar nga Sesioni i Bibliografisë, Sesioni i Katalogimit dhe Sesioni i Analizës së Lëndës dhe Qasshmërisë të IFLA-s (linku: https://repository.ifla.org/handle/123456789/2765 ).

Pjesëmarrja e Universitetit të Prishtinës në këtë kongres dëshmon përkushtimin për ta ngritur performancën profesionale të stafit në nivele të krahasueshme ndërkombëtare.