Mbahet takimi i trupit këshillëdhënës të FIM-it

18 Shtator 2023
SHARE

Më 14 shtator 2023, në dekanatin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, u mbajt takimi i radhës i Trupit Këshillëdhënës (TK) të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Të pranishëm në takim ishin dekani i FIM-it, prof. Ahmet Shala, prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, prof. Njomza Llullaku, prodekani për cilësi, prof. Afrim Gjelaj, shefat e programeve, stafi i ZZhA-së dhe QZhK-së si dhe anëtarët e trupit këshillëdhënës, z. Agim Avdyli nga kompania “Archtime”, z. Hamit Mavriqi nga kompania “Turboengineeting” si dhe Drin Krasniqi nga kompania “Ferplast”.

Përgjatë takimit u diskutuan çështjet që lidhen me bashkëpunimin në mes të fakultetit dhe tregut të punës me qëllim për të krijuar mundësi për studentët që nxisin zhvillimin e shkathtësive praktike, avancimin e programeve studimore sipas kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimin e projekteve/aktiviteteve të përbashkëta, që do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së programeve studimore. U theksua nevoja e krijimit të një sistemi për sigurimin e punës praktike për studentët e FIM-it si dhe realizimi i vizitave më të shpeshta të studentëve në hapësirat e institucioneve dhe kompanive të fushës.

Sipas Rregullores për themelimin dhe parimet e funksionimit të trupave këshillëdhënës të njësive akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të miratuar nga Senati i UP-së, më 29.12.2014, TK-ja është një mekanizëm komunikimi që inicion dialogun dhe bashkëpunimin në mes të sektorit privat dhe akademisë në aspektin e përditësimit të programeve të studimeve dhe përputhjes së kurrikulave me kërkesat e tregut; zhvillimit të projekteve kërkimore me interes të përbashkët; ofrimit të praktikës profesionale ashtu që studentët të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë dhe rrisin shanset për punësim dhe vetëpunësim të të diplomuarve.

Trupi Këshillëdhënës (TK-ja) i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike u themelua më 13 korrik 2016.