Studentët e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës fitojnë tri vende të para në platformën ‘Inspireli’

08 Shtator 2023
SHARE

Është kënaqësi të ndajmë informatën se studentët e vitit të pestë të Fakultetit të Arkitekturës, të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina‘, janë shpallur fitues në 3 nga gjithsej 6 kategoritë të garës ndërkombëtare të organizuar nga platforma ndërkombëtare për arkitekturë ‘Inspireli‘ për projektimin e resortit turistik ‘Miris Garden‘, në lokacionin Stari Grad – Paklenica, që gjendet pranë qytetit të Zarës, në Kroaci.

Është një sukses jashtëzakonisht i madh për studentët tonë të shkëlqyeshëm, që të shpërblehen me vende të para në këtë garë, mes 163 projekteve garuese nga 38 vende të botës.

Studentët fitues me projektet e tyre janë:

  1. Vendi i parë në kategorinë e projektimit të qendrës komerciale, Besjana Ramadani, Alma Sylejmani dhe Adissa Hajdari, të cilat projektin e zhvilluan në kuadër të studios – lëndës Projektim – Ekonomike (sem. IX) nën mentorimin e Prof.Ass.Dr. Arta Xhambazi
  2. Vendi i parë në kategorinë e projektimit të hotelit, Era Pelaj, Ermonda Gashi dhe Elton Bajramaj, të cilët projektin e zhvilluan në kuadër të studios – lëndës Projektim – Banim (sem. IX) nën mentorimin e Prof.Ass.Dr. Rozafa Basha
  3. Vendi i parë në kategorinë e projektimit të apartamenteve, Lendrit K. Krasniqi, Lirigzon Olluri dhe Albion Hetemi, të cilët projektin e zhvilluan në kuadër të studios – lëndës Projektim – Banim (sem. IX) nën mentorimin e Prof.Ass.Dr. Rozafa Basha.

Kjo ishte ndër garat e para të organizuara nga platforma ‘Inspireli‘ ku kombinohet konkursi projektues dhe arsimimi, me ç‘rast falë zhvilluesve ndërkombëtarë të resortit në Kroaci dhe zyrës kryesore projektuese në Pragë, iu ofrua një përvojë e veçantë studentëve të arkitekturës nga universitete të ndryshme nga mbarë bota, për të kontribuar në projektimin e përmbajtjeve të resortit turistik në afërsi të Zarës.

Suksese të mëtutjeshme studentëve tanë në projektet e radhës!