Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar sot një marrëveshje granti për financimin e katër projekteve shkencore me GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit).
Grant- marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi. Përfaqësuesi nga GIZ, z. Benjamin Cornils - Këshilltar për dixhitalizimin, përfaqësues të fakulteteve dhe zbatues të projekteve dhe përfaqësues nga Edutask ishin të pranishëm në nënshkrimin e grantit.
Rektori Qerimi theksoi se kjo paraqet një rrugë që universiteti do të ndjekë, duke ndërmarrë hapa për rritjen e kapaciteteve kërkimore.
Ndërsa z. Cornils nënvizoi se ky grant paraqet bashkëpunimin më të mirë mes akademisë dhe sektorit privat për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë.
Stafi i UP-së ka fituar në të katër thirrjet e shpallura për projekte nga më shumë se njëzet aplikacione. Këto projekte pasqyrojnë angazhimin e universitetit për kërkimin, inovacionin dhe zhvillimin e komunitetit.
Projekti i parë synon të kontribuojë në fushën kërkimore të planifikimit/sinkronizimit të semaforëve dhe do të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet akademisë (Universiteti i Prishtinës - Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike), industrisë, autoriteteve qeverisëse vendore dhe universiteteve ndërkombëtare.
Përmes IoT- Interneti i Gjërave, në projektin e dytë, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në kuadër të UP-së në bashkëpunim me partnerët privatë do të mund të kryejë hulumtime dhe implementim rreth mundësisë së përdorimit të një rrjeti të gjerë komunikimi me fuqi të ulët, përmes mbledhjes së të dhënave nga një numër sensorë që do të vendosen në të gjitha parkingjet publike dhe pikat e menaxhimit të trafikut brenda qytetit të Prizrenit.
Projekti i tretë i kushtohet studimit të fizibilitetit për prodhimin dhe aplikimin e frazës së insekteve. Partnerët zbatues janë Universiteti i Prishtinës - Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Universiteti i Giassen (Gjermani).
Nëpërmjet projektit të katërt synohet të zhvillohen zgjidhje më pak të kushtueshme që parandalojnë ndotjen e ajrit.
Nënshkrimi i grant-marrëveshjes është bërë në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Komponenti Digital4Business financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe zbatohet në kuadër të Qendrës për Transformim Dixhital në ITP.