Aktivitetet shkencore, didaktike dhe kulturore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare përmbyllën me shumë sukses tashmë javën e parë. Prania e emrave të shquar në fushën e albanologjisë dhe shpalosja e rezultateve të tyre shkencore, si dhe interesimi i madh i seminaristëve elitarë për mësimin e shqipes, janë tregues të rëndësishëm të ecurisë së frytshme të këtij edicioni të 41-të të seminarit të Prishtinës.
Krahas kurseve intensive shqipe që mbahen dy herë gjatë ditës, ligjëratat, referimet dhe vizitat dhe aktivitetet e ndryshme kulturore janë realizuar sipas programit të parashikuar nga drejtoria e seminarit.
Ora e Rexhep Ismajlit, e cila shënon hapjen e pjesës shkencore të ligjëratave në seminar, filloi me ligjëratën e prof. Muhamendin Kullashi, me titull: “Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë”.
Më pas u mbajtën ligjëratat e akademikut kroat Ranko Matasoviq (Imagine the Illyrian). Referenca e studiuesit nga Franca, Centre National de la Recherche Scientifique, Ecole du Louvre, Oriane Girard, "Një vështrim perëndimor mbi shqipen gjatë Luftës së Ftohtë: koleksioni fotografik i etnologes franceze Monique Roussel de Fontanè", ligjërata e historianit prof. David Hosaflook me titull: “Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare”, ligjërata e akademikut Hivzi Islamit mbi “Vendbanimet në Kosovë”, në bashkëpunim me kolegë nga departamenti i Gjeografisë. Ndërsa në sesionin e referencave u prekën tema për identitetin, diplomacinë, mitet e prezantuara nga diskutimet e studiuesve nga Polonia, Turqia dhe SHBA.
Në ditën e pestë u mbajtën dy ligjërata, njëra nga historiani Oliver Jens Schmitt, anëtar i Akademisë Austriake dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të cilat nxitën interesim të jashtëzakonshëm nga pjesëmarrësit në ligjëratë dhe nga publiku i gjerë. Si dhe ai i prof. Konrad Cleëig nga Universiteti i Regensburgut. Profesor Schmitt prezantoi argumentet e tij lidhur me temën e “Kosova dhe Shqipëria: Dy rrugët e historisë shqiptare 1912-2023”. Ndërsa Konrad Cleëig diskutoi mbi “Shtetndërtimin e Kosovës: Bazat e shtetndërtimit në Kosovë, nga kombësia në multietnci dhe pas”.
Krahas pjesës shkencore dhe asaj të mësimdhënies, u mbajt takimi tradicional me dekanen e Fakultetit Filologjik, si dhe pjesa kulturore e programit, e cila përfshinte një vizitë në Muzeun Etnologjik të Kosovës për të parë koleksionet e veshjeve popullore dhe atë të filigranit, u mbajt koncerti me këngë arbëreshe nga dy solistë arbëreshë nga Zara, Kroacia, u organizua një festë nga komuna e Prishtinës dhe u bënë dy ekskursione, një në Shkup në bashkëpunim me departamentin e Albanologjisë atje, ku u mbajt një ligjëratë nga fusha e letërsisë shqipe si dhe ekskursioni i mbështetur nga MKRS për të njohur nga afër ndërthurjen e kuzhinës moderne dhe tradicionale në kuzhinën shqiptare nga mjeshtra kuzhinierë shqiptarë.
Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është ngjarja më e rëndësishme shkencore dhe kulturore e albanologjisë që organizohet që nga viti 1974 nën ombrellën e Fakultetit Filologjik në kuadër të UP-së dhe është ngjarja kryesore e afirmimit dhe ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.