Garat nga fusha e drejtësisë janë kthyer në storie suksesi për Fakultetin Juridik. Këtë vit ekipi përfaqësues në garën prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court”, i cili përbëhet nga Argjira Asllani, Nisa Ferati, Lura Kuçi dhe Mirlinda Durguti, ka arritur të kualifikohet në mesin e top 32 ekipeve për rundet finale, nga më shumë se 120 universitete pjesëmarrëse. Rundet finale të garës do të zhvillohen në periudhën 19-23 korrik 2023, në Nuremberg të Gjermanisë.
Studentet përfaqësuese u mikpritën në takim nga dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka, dhe prodekanët, prof. ass. dr. Florent Muçaj dhe prof. ass. dr. Muhamet Vokrri, të cilët i falënderuan vajzat për këtë fillim të mbarë të garës.
Këto gara, tashmë të përvitshme, u japin mundësi studentëve në zgjerimin e njohurive në fushën e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, njëkohësisht përbëjnë një mundësi unike për përfaqësimin e Fakultetit Juridik të UP-së, rrjedhimisht Kosovës, në arenën ndërkombëtare.
Në këto gara do të marrin pjesë studentë nga e gjithë bota, të cilët prezantojnë një çështje fiktive para "Gjykatës Penale Ndërkombëtare". Grupet e studentëve konkurrojnë duke u bazuar në argumentimin dhe prezantimin e tyre ligjor me gojë dhe me shkrim, në rolin e prokurorisë dhe atë të mbrojtjes.