Bashkëbisedim mes anëtarëve të Bordit të Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara të Amerikës - Kosovë dhe studentëve pjesëmarrës të UVP-së

13 Korrik 2023
SHARE

Bordi i Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara – Kosovë, i përbërë nga 5 anëtarë, që përfaqësojnë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MESTI), KUSA, të diplomuar në Shtetet e Bashkuara, akademinë dhe shoqërinë civile në Kosovë morën pjesë në një diskutim të hapur me pjesëmarrësit e Universitetit Veror të Prishtinës.

Të pranishëm në diskutime ishin prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, përfaqësues nga USKEB, Remzije Potoku, specialiste e arsimit të lartë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Gjeni Shporta, përfaqësues i Kosovës në Këshillat Amerikanë për Arsimin Ndërkombëtar, Kreshnik Hoti, anëtar bordi në USKEB, Gresë Koca, asistente për angazhimin publik në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Erjona Hoti nga Këshillat Amerikanë për Arsim Ndërkombëtar, profesorë në Universitetin e Prishtinës si dhe studentët pjesëmarrës në universitetin veror.

Përfaqësuesit e USKEB-it patën mundësinë të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi programet e USKEB-it në SHBA dhe në Kosovë. Disa nga programet që ata theksuan ishin programet Fulbright, programi Hubert Humprey Fellowship, SUSIs, Global UGRAD dhe programet në Kosovë duke përfshirë shkëmbimet studentore në Kosovë, si Fulbright - program studentor, i cili u ofron studentëve amerikanë të diplomuar, profesionistëve të rinj që të kryejnë kërkime, ose të japin mësim anglisht për një vit akademik në Kosovë.

Gjatë diskutimit u theksua se studentët e Universitetit të Prishtinës janë përfituesit më të mëdhenj të bursave të ofruara nga bordi i USKEB-it.

Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të parashtrojnë pyetje për përfaqësuesit e bordit të USKEB-it, për mundësitë që ofrojnë për studentët, mënyrat e aplikimit për bursa, kohën e aplikimit si dhe përcaktimin e përparësive për shkëmbim arsimor.

USKEB mbështetet nga Byroja për Çështje Arsimore- Kulturore e Departamentit të Shtetit, Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MESTI).