Rektori Qerimi priti në takim kampionin botëror të boksit, Robin Krasniqi

11 Korrik 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, ka pritur në takim kampionin botëror të boksit profesionist, Robin Krasniqin.

Gjatë takimit u diskutua rreth sfidave dhe disiplinës së palëkundur që kërkohet për të shkëlqyer në boks. Rektori Qerimi përgëzoi kampionin Krasniqi për sukseset e arritura në fushën e boksit. Në anën tjetër, kampioni Krasniqi u shpreh i nderuar për ftesën dhe mbështetjen e Universitetit të Prishtinës.

Gjatë ditës, rektori Qerimi mori pjesë edhe në promovimin e ekspozitës dhe dokumentarit mbi udhëtimin e kampionit Krasniqi. Në fjalën e tij të rastit në këtë premierë, rektori Qerimi theksoi: “Sot, ne festojmë jo vetëm një kampion në ring, por një kampion të zemrës dhe shpirtit - Robin Haxhi Krasniqi. Le të shërbejë kjo ekspozitë, ky dokumentar dhe vetë prania e kampionit si një simbol frymëzimi për të gjithë ne, duke na kujtuar se udhëtimet tona, qoftë ato në sport, në akademi, apo në jetë, janë të përfshira me shpresat dhe ëndrrat e familjeve e komuniteteve tona”.

Duke iu drejtuar studentëve të UP-së dhe të pranishmëve të tjerë, rektori Qerimi potencoi: “Ndërsa navigoni nëpër këtë ekspozitë dhe shikoni dokumentarin, mund të gjeni kurajën për të përballuar sfidat tuaja me kokë, rezistencën për të rezistuar në provime dhe zemrën për t’iu shërbyer komunitetit dhe vendin tuaj me nder dhe krenari”.

Boksieri i njohur Robin Krasniqi do të zhvilloj meçin e radhës të boksit në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri”, më 5 gusht.