Në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, promovohen botimet e UP-së

26 Prill 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka marrë pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Në ditën e dytë të panairit u promovuan librat universitarë, “Anatomia e njeriut: gjymtyra e sipërme dhe e poshtme”, me autorë profesorët Sadi Bexheti, Jeton Shatri dhe Selim Qerkezi, dhe “Menaxhimi i projektit” nga profesor Mujë Gjonbalaj.

Hapjen e promovimit të librave të UP-së e bëri rektori, prof. dr. Qerim Qerimi. Ai tha se ndihet i nderuar të bëjë promovimin e punës shkencore të stafit të Universitetit të Prishtinës, ndërkaq theksoi përkushtimin e menaxhmentit për sigurimin e buxhetit për financim të botimeve universitare në të ardhmen.

E të lumtur për mundësinë e promovimit të punës së tyre u shprehen edhe vetë autorët e librave të prezantuar, të cilët, para të pranishmëve, theksuan rëndësinë e këtyre librave për studiuesit e shkencave përkatëse.

Libri “Menaxhimi i projektit”, përmes një korpusi të madh informatash narrative, grafikëve dhe instrumentesh të tjera, të shtjelluara me profesionalizëm, me sukses të plotë, prezanton çelësin e ndërlidhjes së elementit praktik me atë teorik të menaxhimit të projektit dhe na ofron një tekst, që edhe pse tipik shkencor universitar, është pa dyshim i dobishëm për një shtresë më të gjerë ekspertësh, si nga fusha e ndërmarrësisë, institucioneve të ndryshme financiare apo edhe hartues të politikave publike.

Ndërkaq, libri “Anatomia e njeriut: gjymtyra e sipërme dhe e poshtme” është një tekst universitar akademik autentik, modern, me kontribut të identifikueshëm në fushën e anatomisë dhe që shquhet për paraqitjen skematike dhe të thjeshtëzuar të problemeve të ndërlikuara nga fusha e anatomisë.

Ky panair është i dyti i organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.