Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP shënon 16-vjetorin e themelimit

25 Prill 2023
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës sot shënon 16-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, zyrën e QZhK-së e vizituan rektori prof. Qerim Qerimi dhe prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të mësimit, prof. ass. dr. Njomza Llullaku.

Këshilltarja për karrierë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, znj. Nikoçeviq-Kurti,falënderoi rektorin prof. Qerimi dhe prorektoren  Llullaku për vizitën në një datë të shënuar të përvjetorit të Qendrës për Zhvillim të Karrierës. Ndër të tjera, menaxhmenti i universitetit u njoftua nga stafi i QZhK-së mbi rezultatet, të arriturat dhe sfidat e shërbimeve për karrierë në rrafshin nacional.

Me këtë rast, rektori prof. Qerimi theksoi se në vizionin e menaxhmentit aktual, shërbimet e orientimit, edukimit dhe zhvillimit në karrierë shihen me një rol të veçantë.

“Qendra për Zhvillim të Karrierës, në këto 16 vjet, ka implementuar suksesshëm projekte me rëndësi për studentët dhe të diplomuarit e universitetit, ky kontinuitet suksesesh i ndierë nga studentët, të diplomuarit dhe partnerët nga tregu i punës. Qendra ka prezantuar një rol frymëzues për të gjitha IAL-të në vendin tonë. Nga kjo perspektivë, fuqizimi i mëtejmë i shërbimeve të karrierës do të jetë prioritet i universitetit”, u shpreh rektori.

Qendra për Zhvillim të Karrierës, në këto 16 vjet punë, ka realizuaraktivitete të rëndësishme në partneritet me institucione publike dhe private, duke arritur të digjitalizojë shërbimet e karrierës dhe duke ofruar bashkëpunim me tregun e punës përmes aktiviteteve tradicionale si: Panairi i Karrierës, KarrieraUP,  tryezat e rrumbullakëta, etj.   

Rezultatet e arritura janë një motiv për të ardhmen, në mënyrë që QZhK-ja të ofrojë mundësi të shumta për studentët dhe të diplomuarit, duke i orientuar ata drejt punësueshmërisë dhe kontributit në komunitet.

Qendra për Zhvillim të Karrierës u hap më 24 prill 2007, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet  Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.