Fjala e rektorit të Universitetit të Prishtinës në promovimin e Fjalorit Enciklopedik të Edukimit, të profesor Hajrullah Koliqit

22 Dhjetor 2022
SHARE

Kohë më parë, pranova dy fjalorët enciklopedikë të edukimit të profesorit Koliqi. Dy vëllime. 2660 faqe në tërësi. 

Pesha e tyre fizike, ndonëse saktësisht e matshme, por pa diskutim masive në terma vëllimor për një prodhim akademik, ka në brendi një përmbajtje që nuk matet dot; nuk matet për nga rëndësia e tekstit, si përmbajtje e kuptim; nga vlerat e tij, si kompetencë dhe saktësi; dhe nga efektet, si trashëgimi intelektuale dhe burim referencial i mësimit dhe studimit.

Sigurisht, derisa koha që kam në dispozicion sot, i dashur profesor, është proporcionalisht e pamatshme me kohën e dedikimit tuaj dhe vëllimin, përmbajtjen e cilësinë e punës tuaj, shpresoj që këtë mungesë ekuilibri sadopak ta kompensoj me simbolikën e aktit të pranisë sime këtu në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe me substancën e vlerësimit tim.

Thjesht, desha të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time dhe të institucionit tonë të dashur që sot jam i privilegjuar ta përfaqësoj, për dedikimin dhe durimin tuaj në krijimin e këtyre teksteve; që t’ju them se ne njohim sakrificën personale të një pune të tillë, por që njëkohësisht e çmojmë shumë, jashtëzakonisht shumë, dijen dhe mjeshtërinë e shpërfaqur në tekst.

Por, mbi të gjitha, doja të sugjeroja që kemi, jo vetëm kapacitetin e kulturën e duhur institucionale, por edhe detyrimin intelektual për të vlerësuar dhe festuar rezultatet dhe të arriturat si kjo ose të ngjashme, të anëtarëve të stafit tonë, të komunitetin tonë akademik. Për të vazhduar këtë trashëgimi të çmueshme të krijimit, unë kam propozuar në planin tim konceptual për universitetin rritjen e investimit për librin, si për mbështetjen e procesit krijues, ashtu edhe për qasjen në dijen e krijuar bashkëkohore, qoftë në formë të librave e parapagimeve në revista akademike apo për qasje në biblioteka digjitale.

Ne do të vazhdojmë të shprehim vlerësimin tonë në të gjitha mënyrat që i kemi të mundura, në takime si ky, në mirënjohje të shprehura në format tjetër institucional, në lajme për krijimet e kontributet tuaja në faqet zyrtare të njësive tona akademike dhe të vetë universitetit. Por, sido që mbërrijmë e sado që mundemi, ideja është për të kuptuar që ne e shohim dhe e vlerësojmë rezultatin krijues dhe çmojmë vlerat e të arriturat akademike të secilit anëtar të komunitetit tonë.

Kjo edhe në funksion të transmetimit të një realiteti që, derisa ne (si mbase çdo institucion tjetër i arsimit të lartë gjithandej), mund të kemi sfidat, papërsosmëritë e defektet tona të mundshme, megjithatë e kemi një komunitet shumë të gjerë, të vyer, që punon fort dhe krijon shumë e mirë, por të cilat krijime ose rezultati i tyre mund t’i jenë nënshtruar shpesh heshtjes së vlerësimit publik institucional ose që i njëjti mund të mos jetë bërë institucionalisht i ditur si e sa e meriton.

Zonja dhe zotërinj,

Në një kohë kur leximi, sidomos një lexim i një lloji më të veçantë, profesional e akademik, mund të mos jetë në nivelet më të dëshirueshme dhe sido që teksti merr formë në ditët e sotme të bashkekzistencës sonë me teknologjinë, përmes punëve si kjo, ne insistojmë dhe do të insistojmë se krijimi profesional e akademik dhe leximi e studimi i tij janë të pazëvendësueshëm.

 

Ju faleminderit!