Rektori shpërblen me mirënjohje studenten Melisa Ibrahimi, për sukseset në gara ndërkombëtare për interpretim në piano

14 Prill 2023
SHARE

Për suksesin e jashtëzakonshëm në garat ndërkombëtare për interpretim në piano, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr Qerim Qerimi, ka shpërblyer sot me mirënjohje studenten Melisa Ibrahimi.

Gjatë kësaj ceremonie simbolike, Rektori e shprehu mirënjohjen e institucionit, për arritjet e Melises dhe për përfaqësimin që po i bënë UP-së. “Kjo është një fitore kolektive dhe një dëshmi shtesë e cilësisë së Universiteti të Prishtinës, e mbi të gjitha një shembull se si monitorimi nga profesorët nxjerr në pah talente të studentëve, të cilët shndërrohen edhe në shembuj për të tjerët”, tha Rektori.  

E studentja fituese, Melisa Ibrahimi, u shpreh e nderuar për çmimin e pranuar nga ana e UP-së. Ndonëse u theksua që ajo ka marrë një numër të madh dhe të rëndësishëm të çmimeve, Melisa tha që kjo mirënjohje e ndarë nga UP-ja është e veçantë për të. Melisa falënderoi edhe profesoreshën e saj, Alberta Tronin, për mbështetjen qe i ka dhënë në vazhdimësi.

Rektori Qerimi i ndau mirënjohje edhe profesoreshës Troni, me motivacion: për punë të palodhshme dhe udhëheqje të suksesshme të studentes Melisa Ibrahimi.

Melisa së fundi është shpërblyer me “Çmimin e Artë” në garën “Franz Schubert International Music Competition 2023”.