Investohet në pajisje të reja laboratorike për të mbështetur kërkimet bashkëkohore në FSHMN

24 Mars 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, së bashku me prorektorët, kanë vizituar laboratorët në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore, që janë investim i UP-së. Njëri ndër ta është laboratori i Fiziologjisë së bimëve, laborator ky i cili është pjesë e projekteve shkencore, vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë laborator tashmë po i kryejnë hulumtimet e tyre dy studentë të doktoratës dhe pesë studentë të masterit.

Ndërkaq në laboratorët e Biologjisë qelizore dhe molekulare përgatiten studentë me njohuri të thelluara teorike dhe praktike në biologjinë qelizore, biologjinë molekulare, biokimi, mikrobiologji. Puna kërkimore në këtë laborator udhëhiqet nga Prof.ass.dr. Lulzim Millaku dhe Prof.ass.dr. Ilir Mazreku ku studentët gjatë punës në këto laboratorë, arrijnë të kuptojnë, shpjegojnë qartë dhe bindshëm informacionin, argumentet dhe analizat e kryera në forma të shumëllojshme dhe të shpalosin me efektivitet teknikat kryesore studimore biologjike. Vetëm në dhjetë vitet e fundit në këto laboratorë kanë kryer pjesën eksperimentale rreth dhjetë studentë të doktoratës.

Disa nga pajisjet, të cilat janë të vendosura në këto laboratorë janë: Mikroskop fluoreshent, Mikroskop invert, Mikroskop (micronucleus test), Stereo mikroskop, Real-time PCR system, PCR cabinet Workstation, ELISA reader, Hemoanalizer, Inkubatorë për kultivimin e qelizave, Sterilizator, Autoclave dhe shumë pajisje tjera bashkëkohore dhe të avancuara, që lejojnë mundësinë e zhvillimit të hulumtimeve që rezultojnë në punime origjinale të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare. Shumë nga këto pajisje laboratorike dhe eksperimentale janë produkt i investimit të Universitetit të Prishtinës. Laboratorët, po ashtu, kanë përfituar nga projektet dhe rrjetet ndërkombëtare ku anëtarët e stafit akademik të universitetit janë pjesë.

Pajisjet e reja pritet të rrisin mundësitë e studiuesve dhe të lehtësojnë zbulimet novatore, dhe pasqyrojnë angazhimin e universitetit për të avancuar kërkimin shkencor dhe për të mbështetur fakultetin dhe studentët e tij.