Rektori Qerimi dhe Prorektorja Basha kanë pritur në takim Agjencinë për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës

22 Mars 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, së bashku me prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha-Jakupi, pritën në takim përfaqësueset nga Agjencia për Barazi Gjinore e Zyrës së Kryeministrit, kryeshefe ekzekutive Edi Gusia, shefja e departamentit të bashkëpunimit Shpresa Zariqi dhe zyrtare për monitorimin dhe raportimin nga Agjencia për Barazinë Gjinore, Albana Lumi.

Në këtë takim u diskutua rreth iniciativave që synojnë reduktimin e pabarazive gjinore në fusha të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat në universitet dhe për të identifikuar mundësitë për ndryshime pozitive.

Rektori Qerimi theksoi rëndësinë e trajtimit të pabarazisë gjinore në të gjitha format e saj, përfshirë në fusha të tilla si arsimi, punësimi dhe vendimmarrja.

Një fushë tjetër e fokusit ishte promovimi i arsimimit të vajzave, ku u potencua rëndësia e sigurimit që të gjitha vajzat të kenë qasje në arsim cilësor dhe që ato të inkurajohen dhe mbështeten për të ndjekur karrierën në fusha të dominuar tradicionalisht nga burrat.

Në përgjithësi, vizita e Agjencisë për Barazi Gjinore u pa si një hap pozitiv drejt vazhdimit të punës së ngushtë brenda dy institucioneve, për të zhvilluar dhe zbatuar iniciativa që synojnë reduktimin e pabarazive gjinore dhe promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë.