Rektori Qerimi dhe prorektorja Basha-Jakupi kanë pritur në takim përfitueset e programit Fulbright, të cilat po qëndrojnë në UP

14 Shkurt 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, dhe prorektorja Arta Basha-Jakupi kanë pasur kënaqësinë të presin në takim studentet nga SHBA-ja, të cilat po qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të projektit të Fulbright-it. Studentët Avyan Mejdeen, Alexandra Feldhusen dhe Isabel Conforti aktualisht kanë nisur rrugëtimin e tyre në UP dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë.

Në fillim të fjalës së tij, rektori Qerimi theksoi se ai ka qenë po ashtu pjesë e këtij programi dhe ka shkëmbyer përvoja në Universitetin e Harvardit. Ndërkaq, prorektorja, përmes këtij programi, ka qëndruar në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, të dyja këto universitete në Massachussets, SHBA.
“Bursat Fulbright për individë luajnë një rol vendimtar në kultivimin e lidhjes së veçantë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Çdo vit, përfituesit nga programi Fulbright kanë mundësinë për të studiuar, punuar dhe shijuar jetën në Kosovë, njëherësh edhe për të reflektuar rolin special të SHBA-së në vendin tonë”, tha rektori Qerimi.

Në anën tjetër, studentet e pranishme në këtë takim shprehen dëshirën e tyre të asistojnë në avancimin e UP-së dhe resurseve të brendshme të institucionit. “UP-ja ka shumë potencial për t’iu ofruar studentëve të saj dhe unë jam e lumtur që mund të kontribuoj në të ardhmen akademike të tyre,” tha Avyan Mejdeen, asistente angleze në Fakultetin Juridik, UP.

Programi Fulbright është programi kryesor i shkëmbimit arsimor ndërkombëtar, i sponsorizuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Thirrja e hapur për programin Fulbright mund të gjendet në: Programet e Shkëmbimit Arsimor, të ofruara nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë (usembassy.gov)

Aktualisht në UP po qëndrojnë gjashtë përfitues të këtij programi nga SHBA-ja, të vendosur në njësi të ndryshme akademike të UP-së.