Rektori Qerim Qerimi mori pjesë në hapjen e punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Studentore “Kërkimi shkencor dhe edukimi në perspektivën e studentëve dhe studiuesve të rinj – UT flet me zërin e studentëve”, të organizuar nga Universiteti i Tiranës.
Rektori Qerimi, në fjalën e tij para studentëve dhe audiencës, i përgëzoi ata për pjesëmarrjen. “Kjo është me të vërtetë një platformë unike, ku zërat e intelektualëve tanë të rinj dhe hulumtuesve në zhvillim marrin prominencën, që me të vërtetë meritojnë. Perspektiva dhe idetë tuaja ndihmojnë në ndërtimin e një kuptimi më gjithëpërfshirës, më inovativ dhe më të thellë të botës rreth nesh”, u shpreh ndër të tjera rektori Qerimi.
Në ceremoninë hapëse, audiencës iu drejtua prof. dr. Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës, dhe prof. dr. Evis Kushi, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu, rektori Qerimi dhe rektori Hoxha diskutuan edhe për zhvillimet në arsimin e lartë në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis të dyja universiteteve.