Qendra për Studime të Avancuara

Qendra e Studimeve të Avancuara (QSA) shërben si pikë lidhëse strategjike mes UP-së dhe  universiteteve partnere, si dhe organizatave ndërkombëtare, për të ofruar studime postdoktorale me fokus në adresimin e çështjeve me interes social për Kosovë, rajonin dhe më gjerë.

Qendrat e Studimeve të Avancuara janë njësi organizative të universiteteve, të cilat specializohen në kërkime të avancuara në fusha të ndryshme shkencore me qëllim të përparimit shkencor dhe bashkëpunimit institucional rajonal e global.

QSA  ka për qëllim të shërbejë si platformë e diskutimit shkencor të avancuar për përparimin e dijes dhe përmes saj të perspektivës së rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u mundësuar kërkuesve shkencorë nga rajoni të ndërveprojnë, të zhvillojnë kërkime të përbashkëta dhe të përdorin infrastrukturë kërkimore për zhvillimin e projekteve kërkimore; si dhe të mundësojë shanse për kërkuesit shkencorë për të zhvilluar ide, projekte dhe kërkime shkencore dhe të aplikuara me fokus në kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të tij drejt vlerave të përparuara të Bashkimit Evropian përmes kërkimit shkencor dhe të aplikuar.