Arben Hajrullahu, ka studiuar Shkencë Politike (drejtim primar) dhe drejtime dytësore Histori të Europës Juglindore, Drejtësi Publike Krahasimtare, Shkencat e Komunikimit Publik dhe Gjuhë Gjermane pranë Universiteteve të Prishtinës (1994), Gracit (1995 – 1999), Vjenës (2000 – 2005) dhe Huddersfieldit (2002).
Ai ka hulumtuar dhe publikuar gjerësisht për vendet e Ballkanit Perëndimor. Teza e tij e doktoratës Paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor përmes integrimit në BE fitoi çmimin për vepër shkencore të vitit 2005 nga Fondacioni Europian Dr. Alois Mock dhe është publikuar në tetor 2007 nga shtëpia botuese NOMOS.
Nga 2000 deri 2003 ai ka vepruar si bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Evropën Juglindore pranë Universitetit të Gracit. Nga 2003 deri 2005 punoi si bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Austriak për Politikë të Jashtme në Vjenë. Nga 2007 deri 2011 ai ishte bashkëpunëtor shkencor pranë Akademisë Europiane Bolzano.
Në vitin akademik 2007 – 2008 mori pjesë në programin Fulbright Hubert Humphrey në ShBA ku punoi pranë Universitetit të Karolinës Veriore në Chapel Hill dhe Qendrës Ndërkombëtare për Studiues Woodrow Wilson në Washington DC. Për më shumë se dy dekada ai punoi edhe si ekspert dhe këshilltar i lartë për institucione vendore e ndërkombëtare.
Nga viti 2005 ai shërben si profesor pranë Universitetit të Prishtinës, Departamentit të Shkencës Politike dhe që nga 1 tetori 2024 Arben Hajrullahu ushtron detyrën e rektorit të Universitetit të Prishtinës.